Jeta moderne na ka rrethuar nga çdo anë me stimuj. Zhurma e makinave, turmat e njerëzve në metropole, kakofonia dhe vrapi i pandërprerë. Në fund të ditës, edhe pse shkoni në shtëpi dhe flini, lodhja dhe pagjumësia duket se nuk ju kalojnë. Ja 8 masa që duhet të merrni kundër kësaj gjendjeje përgjumjeje…
1- Mos harroni të pini ujë
Në mot të ftohtë ndjenja e etjes zvogëlohet dhe sasia e ujit të konsumuar bie ndjeshëm. Mungesa e ujit ul tensionin e gjakut dhe ngadalëson shumë reaksione enzimatike, duke shtuar ndjenjën e gjumit. Dy gota ujë të vakët në mëngjes do t’ju ndihmojnë ta filloni ditën më energjikë.
2- Çajin dhe kafen pijini në mëngjes
Çaji dhe kafja janë të pazëvendësueshme për shumë prej nesh. Megjithatë, për shkak të kafeinës që përmbajnë, ato mund të shkaktojnë rrahje të shpejta të zemrës dhe pagjumësi, duke prishur gjumin e natës dhe duke çuar në përgjumje gjatë ditës.
3- Qëndroni larg pijeve të gazuara dhe me sheqer
Pijet e gazuara, pijet e ëmbla dhe lëngjet industriale të frutave rrisin indin dhjamor. Ato jo vetëm që shtojnë peshë për shkak të kalorive të larta, por edhe shkaktojnë luhatje të sheqerit që çojnë në përgjumje. Në vend të tyre, konsumoni fruta të freskëta në vakte të vogla.
4- Lëvizni
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata që punojnë në zyra. Sa më shumë të rrimë ulur, aq më shumë bie energjia; dhe sa më pak energji të kemi, aq më pak duam të lëvizim. Edhe lëvizjet e vogla brenda zyrës rrisin qarkullimin e gjakut dhe ju bëjnë më aktivë e produktivë.
Mund të ju pëlqej dhe ky artikull: Ecja në gjumë: Çfarë është somnambulizmi?
5- Bëni mëngjes për të ulur dëshirën për gjumë
Secili prej nesh është i ndryshëm – disa nuk hanë kurrë mëngjes, ndërsa të tjerë nuk nisin dot ditën pa të. Por një mëngjes i shëndetshëm dhe i zgjedhur me kujdes rrit energjinë dhe zvogëlon përgjumjen gjatë ditës.
6- Mbani nën kontroll sheqerin në gjak
Mundohuni të shmangni ushqimet e ëmbla gjatë ditës. Mos e mbushni stomakun tepër, sepse kjo sjell lodhje dhe përgjumje, jo energji. Një çokollatë mund t’ju japë energji të menjëhershme, por pas pak minutash ju bën të ndiheni të lodhur e të përgjumur. Zgjidhni karbohidrate më komplekse, si p.sh. krakerët me drithëra.
7- Merrni ajër të pastër
Ambientet e errëta dhe pa ajrim krijojnë rehati të rreme dhe nxisin gjumin. Mbani dhomën të ndriçuar dhe të ajrosur. Dalja herë pas here jashtë për ajër të pastër ju jep energji dhe gjallëri.
8- Nëse përgjumja nuk kalon, kërkoni shkakun
Nëse dëshira për gjumë vazhdon pavarësisht marrjes së masave, konsultohuni me mjekun. Shkaqe të tilla si anemia, sindroma e apnesë së gjumit, ngadalësimi i tiroides ose mungesa e vitaminave mund të jenë arsyeja e kësaj gjendjeje.
Burimi: eatingwell.com

