Duke ardhur nga një sfond teologjik i krishterë, ai ishte filozof, kritik social dhe poet. Pavarësisht se jetoi një jetë të mbushur me dhimbje, Kierkegaard shkroi me një ndjenjë autenticiteti dhe depërtimi të thellë që vazhdon të jehojë me lexuesit e tij edhe sot e kësaj dite.
Fëmija i një familjeje të mallkuar
Kierkegaard lindi në vitin 1813 në Danimarkë në një familje të devotshme fetare. Ai ishte më i vogli nga shtatë fëmijë, nga të cilët mbijetuan vetëm ai dhe vëllai i tij më i madh. Babai i tij, Michael, ishte një tregtar i pasur në Kopenhagen. Vdekja e fëmijëve të tij e bëri të besonte se familja e tij ishte e mallkuar për shkak të mëkateve që kishte kryer në rininë e tij. Michael vuante nga një ankth i madh fetar për shkak se kishte lënë shtatzënë nënën e tyre, Ane Sørensdatter Lund, jashtë martese. Ane punonte si shërbëtore në shtëpinë e Michael dhe ata u martuan menjëherë pasi ajo mbeti shtatzënë. I shtyrë nga faji ekstrem, Michael ndihej i nënshtruar ndaj zemërimit të Zotit dhe besonte se asnjë nga fëmijët e tij nuk do të jetonte më gjatë se ai.
Urtësia e një plaku
Në ditarin e tij personal, Kierkegaard shkroi se i detyrohet “gjithçka mençurisë së një plaku duke iu referuar përkatësisht babait të tij. Michael pati një ndikim të madh tek fëmijët e tij. Kierkegaard jo vetëm që trashëgoi prej tij melankolinë, por edhe dashurinë e tij të thellë për filozofinë. Pavarësisht se ishte një biznesmen i suksesshëm, Michael kishte një karakter introspektiv.
Shtëpia e tij ishte një qendër për intelektualët dhe mendimtarët e shquar të kohës së tij. Ai organizonte tubime ku diskutoheshin tema filozofike dhe fetare. Përfundimisht, Michael u tërhoq për t’i kushtuar më shumë kohë studimit të filozofisë, veçanërisht veprave të filozofit racionalist Christian Wolff. Angazhimi i tij ndaj filozofisë dhe fesë padyshim që formësoi interesat e Søren.
Mund të ju pëlqej dhe ky artikull: 10 teoritë më të çuditshme filozofike
Midis Teologjisë dhe Filozofisë
Kierkegaard ndoqi shkollën në Klarebodeme, ku studioi greqisht dhe latinisht. Shokët e tij të klasës e përshkruanin atë si një person shumë konservator. I armatosur nga mendimet e forta filozofike dhe teologjike të babait të tij, Kierkegaard nuk u ngurrua t’i mbronte ato kundër bindjeve kryesore të kolegëve. I shqetësuar më shumë me anën praktike sesa me atë spekulative të jetës, Kierkegaard vendosi të studionte teologji në Universitetin e Kopenhagenit.
Kierkegaard mori një diplomë masteri në filozofi, e cila ishte ekuivalente me një doktoraturë. Teza e tij titullohej “Mbi konceptin e ironisë me referencë të vazhdueshme ndaj Sokratit”. Gjatë kësaj periudhe, ai frekuentonte Berlinin për të ndjekur leksione nga Friedrich Schelling. Kierkegaard nuk donte të ishte filozof në kuptimin konvencional. Në fakt, paneli i universitetit e konsideroi tezën e tij shumë informale pavarësisht nga depërtimi i saj i shkëlqyer dhe origjinal. Pas diplomimit, ai ndoqi programin e seminarit pastoral për t’u bërë prift. Edhe pse herë pas here predikonte në disa kisha në Kopenhagen, ai kurrë nuk ndoqi një karrierë klerik.
Britma e një të dashuruari
Përveçse është filozofi i parë ekzistencial, Kierkegaard është gjithashtu më i njohur për historinë e tij tragjike të dashurisë. Në moshën 27 vjeç, ai u fejua me 18-vjeçaren Regine Olsen. Menjëherë pas kësaj, ai ra pre e ndjenjave torturuese të pamjaftueshmërisë. Ai besonte se melankolia e tij e thellë e skualifikonte atë nga të qenit në një “marrëdhënie të vërtetë”. Pavarësisht rezistencës së Olsen, të dy i dhanë fund fejesës në 1841. Kjo ngjarje traumatike e shtyu Kierkegaard të zhytej më thellë në punën e tij. Në këtë pikë kyçe të jetës së tij, ai shkroi me bollëk shumë nga librat e tij më të famshëm.
Trashëgimia e pavdekshme e jetës së Kierkegaardit
Ditarët personalë të Kierkegaardit konsiderohen si një nga burimet më të rëndësishme për të kuptuar filozofinë e tij. Ato jo vetëm që kanë vlerë autobiografike, por shërbejnë edhe si një portë hyrëse drejt korpusit të tij të përgjithshëm filozofik. Që në moshë të re, Kierkegaard jo vetëm që shkroi për ngjarjet e jetës së tij, por shkroi edhe reflektime, vëzhgime dhe aforizma poetike të thella. Shumë nga citatet e tij më të famshme burojnë nga ditarët e tij dhe jo nga veprat e tij. Kierkegaard parashikoi rëndësinë e ditarëve të tij.
Kierkegaard vdiq në vitin 1855 në moshën 42 vjeç. Siç e kishte parashikuar, shkrimet e tij kanë lënë një gjurmë të thellë që vazhdon të ndikojë dhe frymëzojë njerëzit edhe sot e kësaj dite. Kierkegaard është ndër filozofët më të rëndësishëm në botën bashkëkohore, sepse veprat e tij trajtojnë çështje që qëndrojnë në thelb të shumë betejave moderne. Si themelues i shkollës së ekzistencializmit, ai mbetet i pavdekshëm në zemrat e të gjithë atyre që u prekën nga zjarri i gjenialitetit të tij.
Burimi: thecollector.com

