Gustave Flaubert ishte një romancier i konsideruar si shkrimtari kryesor i shkollës realiste të letërsisë franceze dhe më i njohur për kryeveprën e tij, Madame Bovary (1857), një portretizim realist i jetës borgjeze, i cili çoi në një gjyq me akuzat për imoralitet të supozuar të romanit.
Jeta e hershme
Gustave Flaubert lindi më 12 dhjetor 1821 në Rouen të Francës dhe vdiq më 8 maj 1880. Ai ishte fëmija i katërt i një mjeku të shquar që ishte drejtuesi i spitalit në atë qytet. Gustave ishte një djalë i ndjeshëm dhe i qetë. Ai lexonte shumë dhe, meqenëse familja jetonte në një shtëpi në territorin e spitalit, ai shpejt fitoi njohuri për teknikat dhe idetë shkencore. Ai ndoqi një shkollë të mesme në Rouen dhe në vitin 1841 u dërgua, kundër vullnetit të tij, për të studiuar drejtësi në Paris. Në kryeqytet ai bëri miq të rinj dhe u zhvendos në rrethet letrare. Talenti i tij për të shkruar u stimulua nga këto përvoja.
Në vitin 1844, Flaubert u bë viktimë e një sëmundjeje të rëndë nervore, e cila nuk mund të identifikohet saktësisht. Për arsye shëndetësore, ai u tërhoq në shtëpinë e re të familjes në Le Croisset, një periferi të Rouen. Ai me kënaqësi e shfrytëzoi këtë mundësi për të hequr dorë nga drejtësia. Pjesën më të madhe të kohës së tij e kaloi tani në Le Croisset, ku jetoi i qetë dhe iu përkushtua shkrimit dhe studimeve të tij.
Flauberi bëri një udhëtim në Lindjen e Afërt në vitet 1849-50, ku udhëtoi gjerësisht në Egjipt, Siri, Turqi dhe Greqi. Në vitin 1857, vizitoi vendin e Kartagjenës së lashtë në Afrikën e Veriut. Ndërsa vitet kalonin, ai u njoh me shumicën e figurave të rëndësishme letrare të periudhës, duke përfshirë Viktor Hugon, Georges Sand, Sainte-Beuve, Gautier, Turgenev, de Goncourt dhe de Maupassant. Ai respektohej dhe admirohej nga të gjithë.
Jeta personale dhe karriera
Flauberi kishte pak miq të ngushtë, por kishte dy marrëdhënie të pazakonta me gratë në jetën e tij. E para përfshinte Elisa Schlessinger, një grua të martuar dhe të moshuar të cilën e takoi në Trouville kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç. Ajo për shumë vite ishte objekt i dashurisë së tij platonike dhe të idealizuar. Tjetra ishte Louise Colet, një poete, e cila ishte e dashura e tij midis viteve 1846 dhe 1854. Megjithatë, ajo dhe Flauberti e shihnin njëri-tjetrin shumë rrallë.
Flaubert shpesh është konsideruar si një i vetmuar mizantrop. Ai karakterizohej nga morbiditeti dhe pesimizmi, të cilat mund të kenë qenë pjesërisht për shkak të sëmundjes së tij. Ai kishte një urrejtje dhe përbuzje për shoqërinë e klasës së mesme. Ai shpesh ishte i hidhëruar dhe i palumtur për shkak të pabarazisë së madhe që ekzistonte midis ëndrrave dhe fantazive të tij të paarritshme dhe realiteteve të jetës së tij. Për shembull, dashuria e tij mistike dhe e idealizuar për Elizën ndikoi negativisht në të gjitha marrëdhëniet e tij të mëvonshme me gratë.
Edhe pse Flaubert fitoi famë si shkrimtar gjatë jetës së tij, ai nuk pati sukses financiar. U lëndua nga armiqësia dhe keqkuptimi i kritikëve dhe lexuesve të tij. Në kulmin e armiqësisë publike, në vitin 1857, ai dhe botuesi i Madame Bovary u gjykuan për një “fyerje ndaj moralit publik dhe fesë”.
Mund të ju pëlqej dhe ky artikull: Anton Çehov: Tregimtari mjeshtër i letërsisë ruse
Veprat e tij
Veprat e Flaubert përfshijnë Madame Bovary (1857); Salammbo (1862), Një Edukim Sentimental (1869), Tundimi i Shën Antonit (1874). Në vitin 1877, ai botoi “Tre përralla”, e cila përmban tregimet e shkurtra të bukura. Këto ishin “Një zemër e thjeshtë”, “Legjenda e Shën Julianit Spitalor” dhe “Herodiada”. Këto tregime të famshme janë kryevepra të prozës së shkurtër dhe janë ndër veprat e tij më të mira dhe më prekëse. Drama e Flaubert, “Kandidati”, dështoi pas disa shfaqjeve në vitin 1874. Romani i tij i fundit, “Bouvard dhe Pechuhet”, u botua pas vdekjes në vitin 1881.
Flaubert ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm evropianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Asnjë nga veprat e tij të mëvonshme, përveç tre tregimeve të shkurtra, nuk e barazoi kurrë cilësinë artistike dhe teknike të romanit të tij të parë, dhe kryesisht mbi Zonjën Bovary mbështetet reputacioni i tij. Flaubert kombinoi një ndjenjë për idealet e epokës romantike me pikëpamjen objektive dhe parimet shkencore të Realizmit për të krijuar një roman që ka qëndruar si një monument dhe shembull për shkrimtarët që atëherë.
Burimi: cliffsnotes.com

