Ndërsa plakemi, trupat tanë nuk i përgjigjen në të njëjtën mënyrë përpjekjeve për humbje peshe dhe shkenca ka disa shpjegime për të ofruar.
Muskujt tuaj po ju braktisin
Që nga momenti që mbushni 30 vjeç, një ndryshim i padëshirueshëm fillon në trupin tuaj: sarkopenia! Humbja e muskujve që lidhet me moshën. Çdo 10 vjet, 3% deri në 8% e masës suaj muskulore të ligët zhduket. Pra, pse është e rëndësishme kjo? Sepse muskujt djegin më shumë kalori sesa dhjami!
Tani, le të mendojmë për këtë: Nëse po humbni muskuj, metabolizmi juaj ngadalësohet dhe trupi juaj fillon të djegë më pak kalori. Pra, nëse vazhdoni të hani dhe pini të njëjtën sasi siç bënit kur ishit më të rinj, ato kile që keni marrur nuk do të mund ti hiqni aq lehtë.
Ndërsa plakeni, dhimbjet e kyçeve, lëndimet dhe operacionet e bëjnë më të vështirë lëvizjen. Sa më pak të lëvizni, aq më shumë muskujt tuaj përkeqësohen.
Hormonet tuaja bëhen të pabalancuara, duke bërë që të shtoni në peshë
Nivelet e hormoneve pësojnë ndryshime të rëndësishme drejt moshës së mesme, dhe për fat të keq, kjo ndikon edhe në shtimin në peshë. Menopauza tek gratë dhe rënia e testosteronit tek burrat, e ndryshojnë plotësisht sistemin e ruajtjes së yndyrës në trup.
Për gratë
Gjatë menopauzës, nivelet e estrogjenit bien ndjeshëm. Kjo shkakton grumbullimin e yndyrës, veçanërisht rreth barkut. Për më tepër, luhatjet në nivelet e estrogjenit ndikojnë gjithashtu në humor. Mesatarisht, gratë mund të shtojnë 0.5 deri në 0.7 kilogramë në vit gjatë menopauzës dhe perimenopauzës!
Për burrat
Nga mosha 40 vjeç e tutje, nivelet e testosteronit fillojnë të bien me 1 deri në 2 përqind çdo vit. Kjo rënie e testosteronit bën që yndyra të grumbullohet më lehtë, veçanërisht rreth barkut, duke krijuar atë që ne e quajmë “bark babai”. Testosteroni gjithashtu ndihmon në ruajtjen e masës muskulore. Ndërsa ndodh kjo rënie, masa muskulore zvogëlohet, trupi djeg më pak kalori dhe shtimi në peshë bëhet i pashmangshëm.
Metabolizma juaj nuk funksionon aq mirë sa më parë!
Kur ishim të rinj, metabolizmi ynë ishte si një makinë e Formula 1: Digjte gjithçka që hanim! Por ndërsa plakemi, motori fillon të ngadalësohet pak.
Humbja e muskujve ngadalëson ndjeshëm metabolizmin. Më pak muskuj = më pak kalori të djegura!
Ndërsa plakemi, njerëzit në përgjithësi bëhen më pak aktivë. Midis punëve në karrige dhe orëve të kaluara para televizorit, numri i kalorive të djegura zvogëlohet gradualisht.
Mund të ju pëlqej dhe ky artikull: Pse flemë më pak ndërsa plakemi?
Ndryshimet e mëdha në jetë prishin rutinën
Kur arrini moshën e mesme, ndryshimet në jetën tuaj nuk ndikojnë vetëm në trup; edhe rutina juaj e përditshme mund të prishet. Krijimi i një familjeje është një prej tyre.
Më parë shkonit në palestër pas pune për një orë, apo jo? Tani e kaloni atë orë duke luajtur me fëmijën tuaj ose duke e ndihmuar atë me detyrat e shtëpisë. Dhe nuk janë vetëm fëmijët; prindërit në plakje janë të përfshirë gjithashtu. Kur kujdeseni për ta, koha juaj personale praktikisht nuk ekziston.
Si rezultat, zakonet tuaja të të ngrënit përkeqësohen, zakonet e ushtrimeve zbehen dhe shtimi në peshë bëhet i pashmangshëm. Por mos harroni, nuk është faji juaj! Jeta ka një rrjedhë natyrale dhe ndonjëherë prioritetet ndryshojnë. Çelësi është të rifitoni kontrollin me ndryshime të vogla, por efektive!
Burimi: everydayhealth.com

